Misioni
AGJENCIA KOMBËTARE E PUNËSIMIT DHE AFTËSIVE (AKPA)
AKPA është një shërbim publik, person juridik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për punësimin dhe zhvillimin e aftësive (në vijim ministri), me seli në Tiranë. AKPA-ja është tërësia e institucioneve administrative dhe ofruese të shërbimeve të punësimit, të vetëpunësimit dhe të arsimit e formimit profesional, pjesë integrale e sistemit të ministrisë përgjegjëse për punësimin dhe zhvillimin e aftësive. Ajo funksionon nëpërmjet Zyrave Rajonale dhe Vendore të Punësimit, Drejtorive Rajonale të Formimit Profesional Publik si edhe Shkollave të Arsimit Profesional Publik.
AKPA është krijuar dhe rregullon veprimtarinë e saj, bazuar në dispozitat e Ligjit nr. 15/2019 ”Për nxitjen e punësimit“, si edhe Ligjit nr. 15/2017 “Për arsimin profesional në RSH”, si edhe me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 554, datë 31.07.2019 “Pёr krijimin, mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive”.
Strukturat kryesore dhe kompetencat e tyre rregullohen në zbatim të Urdhrit të Kryeministrit nr. 172, datë 24.12.2019 “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive”, si edhe të Urdhrave të Ministrit për çështjet e punësimit dhe aftësive Për Organikat e Shkollave të Arsimit Profesional në zbatim të nenit 7, germa ç dhe neni 12, pika 4, e Ligjit nr. 15/2017, “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”.
MISIONI
Misioni i AKPA-së është të sigurojë përmbushjen e të drejtës së shtetasve shqiptarë, të huaj dhe pa shtetësi të huaj, që kanë përfituar statusin e refugjatit si dhe të azilkërkuesit në territorin e Republikës së Shqipërisë, për t’u trajtuar me shërbime dhe programe publike të punësimit, të vetëpunësimit dhe të kualifikimeve profesionale, me qëllim gjetjen e një pune të përshtatshme, brenda dhe jashtë vendit, si dhe ofrimin e këtyre shërbimeve.
FUSHA E PËRGJEGJËSISË
AKPA ka përgjegjësi:
- a) të garantojë nivelin e cilësisë së shërbimeve të ofruara për punësimin, vetëpunësimin dhe arsimin e formimin profesional, nëpërmjet monitorimit dhe vlerësimit;
b) të organizojë punën për administrimin dhe zbatimin e programeve aktive e pasive të tregut të punës;
c) të organizojë punën për administrimin e ofruesve publikë të arsimit dhe formimit profesional (AFP), sipas legjislacionit në fuqi për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë;
ҫ) të organizojë punën për menaxhimin, ndjekjen dhe kontrollin e drejtorive rajonale, të zyrave vendore dhe të ofruesve publikë të arsimit e formimit profesional;
d) të sigurojë se funksionet e lidhura me planifikimin, zbatimin, kontabilitetin dhe raportimin financiar për drejtoritë rajonale, zyrat vendore dhe ofruesit publikë të arsimit dhe formimit profesional, kryhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
PËRCAKTIME
Drejtori Rajonale e Punësimit e AKPA-s është:
“Struktura përkatëse rajonale/vendore e punësimit”, është struktura që ka kompetencën territoriale në zonën e vendbanimit të personit apo selisë/degës së punëdhënësit, i cili pretendon të përfitojë nga një ose disa shërbime apo programe të ofruara nga kjo strukturë.
Zyra Vendore e Punësimit e AKPA-s është:
“Struktura rajonale/vendore e punësimit” është struktura, pjesë e rrjetit të shërbimeve publike të punësimit, në varësi të institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë.
Drejtoria e Formimit Profesional Publik dhe Shkolla e Arsimit të Mesëm Profesional Publik- Institucionet ofruese të AFP-së janë;
“Institucionet ofruese të AFP-së” janë institucione publike të cilat sigurojnë programe ose/dhe kurse të AFP-së në Republikën e Shqipërisë.