Kontrolli i Lartë i Shtetit shpall konkursin për vende të lira pune:
I.Për 1 (një) vend në pozicionin e Drejtorit të Departamentit të Auditimit të Institucioneve Qendrore.
-Kërkesat për kandidatët e këtij vendi pune janë:
– Të jenë diplomuar jo më poshtë se niveli Master Shkencor në Financë/ Kontabilitet.
– Të kenë eksperiencë pune mbi 10 vjet.
– Të zotërojnë gjuhën angleze dhe një gjuhë të dytë të huaj të një prej vendeve të BE-së.
– Të kenë aftësi të mira menaxhuese dhe komunikuese, aftësi të drejtimit strategjik, aftësi pune në grup, efektivitet, integritet, besueshmëri, vizion etj.
– Do të favorizohen kandidatët që kanë eksperiencë në fushën e Auditimit Publik mbi 5 vjet.
– Do të favorizohen kandidatët që kanë marrë pjesë në trajnime dhe konferenca ndërkombëtare në fushën e Auditimit Publik
– Paga mujore për këtë vend pune është në nivelin e pagave të shërbimit civil.
Përshkrimi i punës
Përgjigjet dhe jep llogari për veprimtarinë e departamentit dhe ecurinë e zbatimit të detyrave të ngarkuara para Kryetarit dhe para Sekretarit të Përgjithshëm ose Drejtorit të Përgjithshëm, kur këta ngarkohen nga Kryetari. Jep mendime dhe përgjigjet përpara Kryetarit për cilësinë e auditimeve. Përgatit për miratim programet vjetore të auditimit mbi bazën e një konsulte të gjerë me audituesit dhe ndjek zbatimin e programeve mujore të auditimit, duke raportuar periodikisht për realizimin dhe problematikën e tyre. Organizon, drejton dhe mbikëqyr zbatimin e programeve të auditimit, duke e shoqëruar me analiza e raporte, nxjerr përfundime për rritjen e efektivitetit të veprimtarisë audituese të departamentit. Merr masa për prezantimin dhe sigurimin e kushteve të punës për grupet e auditimit në subjektet përkatëse. Ndjek drejtpërdrejtë dhe nëpërmjet kryeaudituesit dhe përgjegjësit të grupit të auditimit, ecurinë e veprimtarisë audituese, duke udhëzuar dhe këshilluar grupet e auditimit për realizimin me cilësi dhe efektivitet të auditimeve. Në auditime të veçanta të rëndësishme, me miratim të Kryetarit, gjykuar mbi nivelin e materialitetit dhe të riskut, merr pjesë drejtpërdrejtë në procesin e auditimit në terren, në intervale kohore të shkëputura ose përgjatë gjithë periudhës së auditimit. Në bashkëpunim me Përgjegjësin e Etikës, kujdeset për zbatimin e Kodit të Etikës dhe standardeve të auditimit të KLSH-së në të gjitha fazat e punës audituese nga ana e audtuesve të departamentit. Raporton te Kryetari i KLSh-së mbi ecurinë, realizimin e programit, shkeljet e zbuluara dhe probleme të tjera të mbarëvajtjes së punës audituese çdo 10 ditë dhe jo më pak se tre herë për çdo auditim. Kur e gjykon të nevojshme dhe/ose pas kërkesës së argumentuar nga grupi i auditimit, kërkon për miratim tek Kryetari i KLSH-së ndryshimin e afatit të auditimit, (shtyrjen e afatit dhe/ose përfundimin më parë të auditimit). Kërkesa për ndryshim të afatit të auditimit duhet të bëhet jo më vonë se në mes të periudhës së auditimit sipas afatit të miratuar më parë dhe në përputhje me rregulla të tjera. Ndjek përgatitjen e projektraporteve dhe raporteve të auditimit, projektvendimeve dhe vendimeve përkatëse. Shqyrton materialet e dosjeve së auditimit, veçanërisht vërejtjet e paraqitura nga subjektet dhe sipas rastit merr pjesë në ballafaqimet përkatëse që organizohen në KLSH. Jep mendim dhe vlerësime me shkrim në formularin përkatës mbi materialet e auditimit të paraqitura nga grupet e auditimit të shqyrtuara më parë nga Kryeaudituesi. Këto mendime, së bashku me ato të dhëna nga drejtori i Departamentit Juridik dhe Kontrollit të Zbatimit të Standarteve dhe Drejtori i Përgjithshëm, i kalojnë për vendimmarrje Kryetarit. Organizon dhe ndjek evadimin në afat të materialeve të auditimit, duke ia paraqitur konform rregullave Kryetarit për shqyrtim e miratim. Mban evidenca për punën audituese për çdo auditim të ushtruar nga departamenti mbi bazën e të cilave bën vlerësimin e performances së audituesve. Plotëson formularin e “kontrollit të cilësisë”, që i bashkëngjitet dosjes së auditimit në përfundim të tij dhe ndjek e përgjigjet për hartimin e raportit për kontrollin dhe sigurimin e cilësisë të auditimeve të realizuara nga departamenti që drejton. Kujdeset për zbatimin e rregullave mbi ruajtjen dhe arkivimin e dokumenteve nga punonjësit e departamentit dhe sipas rastit merr masa për ruajtjen e sekretit shtetëror, sipas dispozitave ligjore në fuqi. Jep mendim për ndryshime në kategori dhe shpërblimin e Kryeaudituesve, Audituesve të lartë dhe audituesve të tjerë; bën vlerësimin e performancës në punë dhe në zbatim të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi për nëpunësin civil, në cilësinë e eprorit direkt sipas legjislacionit të shërbimit civil i propozon Komisionit të Etikës për fillimin e ecurisë së masave disiplinore ndaj Kryeaudituesve, Audituesve të lartë dhe audituesve të tjerë që nuk zbatojnë kodin etik, standardet e auditimit dhe raste të tjera të parashikuara me ligj. Për fillimin e ecurisë së masës disiplinore, informon me shkrim Kryetarin dhe Drejtorinë e Burimeve Njerëzore. Bashkëpunon dhe bashkërendon punën me strukturat e tjera të institucionit për detyrat që i ngarkohen nga Kryetari. Sipas planit të auditimeve dhe urdhrave të Kryetarit, organizon auditime të përbashkëta me departamentet e tjerë dhe ndjek ecurinë e tyre. Në rastet kur ngarkohet nga Kryetari ose Sekretari/Drejtori i Përgjithshëm organizon verifikimin e ankesave të qytetarëve. Kryen detyra të tjera të veçanta që i ngarkohen nga Kryetari i KLSH.
Paraqitja e dokumenteve
Kandidatët duhet të paraqesin në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore deri në datë 20 Nëntor 2020 këto dokumente: Letër motivimi për aplikimin në vendin vakant, CV-në, kopje të diplomës së shkollës së lartë dhe të kualifikimeve pasuniversitare, kopje e listës së notave dhe librezës së punës të gjitha të noterizuara, fotokopje e letërnjoftimit, rekomandime nga punëdhënësit e mëparshëm, dëshmi penaliteti, dokumente te tjera (nëse ka), që i çmon se mund t’i vlejnë për vlerësimin e përgatitjes arsimore dhe profesionale, si dhe dëshmi të zotërimit të gjuhëve të huaja.
Konkurrimi
Konkurrimi do të bazohet në njohuritë për Kushtetutën, ligjin nr. 154/2014 datë 27.11.2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, ligjin nr. 152/2013, “Për Nëpunësin Civil” i ndryshuar, ligjin nr 44/2015 “Kodi i Proçedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”, ligjin nr. 9131, datë 8.9.2003 “Për rregullat e etikës në administratën publike”, “Rregulloren e brendshme të organizimit dhe funksionimit të KLSH”, “Standardet e kontrollit të KLSH”dhe “Standardet ndërkombëtare të INTOSAI-t, mbi njohuritë dhe të dhënat që jepen në serinë e botimeve të KLSH-së, si dhe në faqen zyrtare të KLSH-së në internet”.
Në faqen zyrtare të Kontrollit të Lartë të Shtetit www.klsh.org.al, më datë 2 Dhjetor 2020 do të shpallet lista e verifikimit paraprak të kandidatëve, dhe më datë 18 Dhjetor do të zhvillohet testimi me shkrim.
Kontrolli i Lartë i Shtetit