Kontrolli i Lartë i Shtetit shpall konkursin për vende të lira pune:
- Për 1 (një) vend në pozicionin e Drejtorit të Departamentit Juridik. -Konkurrimi është i hapur vetëm për nëpunësit civilë të kategorisë së mesme drejtuese të Shërbimit Civil.
-Kërkesat për kandidatët e këtij vendi pune janë:
-Të kenë kryer arsimin e lartë dhe të jenë diplomuar jo më poshtë se niveli Master Shkencor në Drejtësi.
-Të kenë eksperiencë pune mbi 5 vjet.
-Të ketë marrë pjesë në trajnime në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
-Të zotërojnë gjuhën angleze dhe një gjuhë të dytë të huaj të një prej vendeve të BE-së.
-Të kenë aftësi të mira menaxhuese dhe komunikuese, aftësi të drejtimit strategjik, aftësi pune në grup, efektivitet, integritet, besueshmëri, vizion etj.
-Do të favorizohen kandidatët që kanë eksperiencë në proçesin e auditimit.
Paga mujore për këtë vend pune është në nivelin e pagave të shërbimit civil.
Përshkrimi i punës
Përgjigjet dhe jep llogari për veprimtarinë e departamentit dhe ecurinë e zbatimit të detyrave të ngarkuara para Kryetarit dhe para Sekretarit të Përgjithshëm. Organizon dhe bën analiza, përgatit raporte dhe nxjerr përfundime për rritjen e efektivitetit të veprimtarisë së Departamentit. Bën propozime për ndryshime apo përmirësime në aktet ligjore apo nënligjore, kur gjykon se ato bien ndesh me dispozitat ligjore në fuqi. Jep mendime juridike, brenda kuadrit të dispozitave ligjore në fuqi. Shqyrton materialet e auditimit të paraqitura nga Departamentet e Auditimit dhe paraqet me shkrim mendimet për to dhe rekomandimet në formularin përkatës. Bashkëpunon me organet e prokurorisë dhe ndjek zbatimin e aktmarrëveshjes së lidhur me këtë institucion, duke u fokusuar për plotësinë dhe ecurinë e kallëzimeve penale. Bashkëpunon dhe bashkërendon me organet e tjera jashtë KLSH përfshirë organet e gjyqësorit, për detyrat dhe porositë e dhëna nga Kryetari. Me autorizim të Kryetarit mund të kërkojë nga organet shtetërore ose personat juridikë informacione dhe dokumente. .Jep mendime për cilësinë e auditimit dhe plotëson formularin e “kontrollit të cilësisë” sëbashku me drejtorin e Departamentit Përkatës, që i bashkëngjitet dosjes së auditimit në përfundim të tij. Harton dhe miraton te Kryetari, të paktën një herë në vit programin e kontrollit të sigurimit të cilësisë të veprimtarisë audituese, duke përshirë dhe auditues me përvojë si dhe përgatit raportin përkatës. Bën studime, analiza dhe përgjithësime të praktikës juridike në fushën e auditimit si dhe përgatit materiale për trajnimin e punonjësve të KLSH në fushën juridike. Përgatit informacione e programe, për zbatimin e detyrimeve e angazhimeve që rrjedhin në kuadër të integrimit evropian dhe në luftën kundër korrupsionit, të cilat i raporton para Kryetarit. Me autorizim të Kryetarit mund të marrë pjesë në organizata, shoqata dhe organizma të ndryshëm profesionale, brenda dhe jashtë KLSH. Merr pjesë në takimet e mirëkuptimit të organizuara nga departamentet e auditimit me subjektet e audituara pas dërgimit nga e tyre të komenteve mbi projektraportet e KLSH-së dhe jep mendim për kundërshtitë ndërmjet stafit auditues dhe personave përgjegjës të subjekteve të auditimit.
Paraqitja e dokumenteve
Kandidatët duhet të paraqesin në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore deri në datë 30 Janar 2021 këto dokumente: Letër motivimi për aplikimin në vendin vakant, CV-në, kopje të diplomës së shkollës së lartë dhe të kualifikimeve pasuniversitare, kopje e listës së notave dhe librezës së punës të gjitha të noterizuara, fotokopje e letërnjoftimit, rekomandime nga punëdhënësit e mëparshëm, dëshmi penaliteti, dokumente te tjera (nëse ka), që i çmon se mund t’i vlejnë për vlerësimin e përgatitjes arsimore dhe profesionale, si dhe dëshmi të zotërimit të gjuhëve të huaja.
Konkurrimi
Konkurrimi do të bazohet në njohuritë për Kushtetutën, ligjin nr. 154/2014 datë 27.11.2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, ligjin nr. 152/2013, “Për Nëpunësin Civil” i ndryshuar, ligjin nr 44/2015 “Kodi i Proçedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”, ligjin nr. 9131, datë 8.9.2003 “Për rregullat e etikës në administratën publike”, “Rregulloren e brendshme të organizimit dhe funksionimit të KLSH”, “Standardet e kontrollit të KLSH”dhe “Standardet ndërkombëtare të INTOSAI-t, mbi njohuritë dhe të dhënat që jepen në serinë e botimeve të KLSH-së, si dhe në faqen zyrtare të KLSH-së në internet”.
Në faqen zyrtare të Kontrollit të Lartë të Shtetit www.klsh.org.al, më datë 09 Shkurt 2021 do të shpallet lista e verifikimit paraprak të kandidatëve, dhe më datë 25 Shkurt 2021 do të zhvillohet testimi me shkrim.