PROGRAMET E NXITJES SË PUNËSIMIT DHE TË VETËPUNËSIMIT,
MUNDËSI TË REJA PËR ULJEN E PAPUNËSISË NË VEND
Edhe në këtë mandat, nxitja e punësimit vazhdon të jetë një nga prioritet më kryesore të qeverisë, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë nga Buxheti i Shtetit për ‘2018, i është akorduar fondi prej 490 milion lekë, për implementimin e Programeve të nxitjes së Punësimit.
Planifikohet të kualifikohen, punësohen apo kryejnë praktikat profesionale në biznese, rreth 8.500 Punëkërkues të papunë të regjistruar si të tillë pranë zyrave të punësimit.
Kategoritë e punëkërkuesve që përfitojnë nga këto Programe përfshijnë jo vetëm të rinjtë që kanë mbaruar arsimin e lartë apo ata që kanë fituar statusin e jetimit, personat me aftësi të kufizuar, femrat nga grupet e veçanta, punëkërkues nga ish ndihma ekonomike apo që trajtohen aktualisht me të, por edhe çdo të papunë pa arsim apo kualifikim profesional.
Çdo subjekt i interesuar për t’u bërë pjesë e këtyre programeve mund të aplikojë Online, ose të paraqesë kërkesën e tij pranë Zyrave të Punësimit në rajonin ku ushtron aktivitetin. Formulari i Aplikimit mund të shkarkohet nga e-Albania ose nga faqja jonë në Menynë e Shërbimeve – Programet e Tregut të Punës.
Procesi i deregulimit ka sjellë thjeshtëzim dhe reduktim të procedurave të aplikimit, prandaj subjektet aplikuese duhet të paraqesin pranë Zyrës së Punësimit apo të ngarkojnë Online vetëm planin e detajuar të biznesit si dhe dokumentacionin justifikues për rastet e detyrimeve tatimore. Pjesa tjetër e dokumenteve të nevojshëm, sigurohen nga specialistët e Zyrave përkatëse të Punësimit. Aplikimet për këto programe do të fillojnë në datë 3 Korrik dhe do të vazhdojnë deri në datë 3 Gusht 2018 .
Në bashkëpunim me Qeverinë Zvicerane dhe UNDP është implementuar Programi i Vetëpunësimit, i cili ka për objektiv krijimin e vendeve të reja të punës nëpërmjet promovimit të vetëpunësimit, trajnimit dhe mbështetjes së drejtpërdrejtë financiare, për krijimin e bizneseve të reja etj. Deri më sot ky program ka përfunduar me sukses dy raunde, të cilët kanë rezultuar me regjistrimin e 84 bizneseve të reja, nga të cilat 76 janë plotësisht aktivë.
Në vitet në vazhdim ky program do të jetë pjesë e paketës së programeve të financuara nga buxheti i shtetit me një rëndësi të veçantë për mbështetjen për sipërmarrje të të rinjve nën 30 vjeç nga i gjithë vendi.